7 ligjet e paketës fiskale botohen në Fletoren Zyrtare, hyjnë në fuqi pas 15 ditësh
Ligjet e dekretuara nga Presidenti u publikuan dhe nisin zbatimin 15 ditë pas botimit, me afate për udhëzime e akte nënligjore.

Botimi në Fletoren Zyrtare dhe hyrja në fuqi
Disa ditë pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj, në Fletoren Zyrtare janë publikuar 7 ligjet e paketës fiskale, përfshirë ligjin “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, ligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”, si dhe aktet e tjera shoqëruese të paketës. Të 7 ligjet e paketës fiskale do të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Paqja Fiskale: afatet për aktet nënligjore dhe udhëzimet
Ligji “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet deri në vitin tatimor 2028. Ligji ngarkon ministrin përgjegjës për financat të miratojë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi, aktet nënligjore në zbatim të neneve 10, pika 3, dhe 11, pika 4. Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve ngarkohet të miratojë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, udhëzimin në zbatim të pikës 1 të nenit 11, pra për procedurat e aplikimit të bizneseve në e-Filing për marrëveshjen.
Fshirja e detyrimeve: efekti 1 janar–31 dhjetor 2026 dhe institucionet zbatuese
Ligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë” hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi, ministri përgjegjës për financat nxjerr udhëzimin për zbatimin e tij. Ky ligj i shtrin efektet nga data 1 janar 2026 deri në datën 31.12.2026, ndërsa ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, njësitë e qeverisjes vendore dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij ligji.
Ndryshimet në TVSH: kompensimi 10% për fermerët
Ligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, që përcakton kompensimin 10% të TVSH për fermerët, hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Procedurat tatimore: kufiri i parasë në dorë dhe detyrimi për POS
Në Fletoren Zyrtare u botua edhe ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, i cili gjithashtu hyn në fuqi 15 ditë pas botimit. Ndryshimet parashikojnë zvogëlimin e përdorimit të parasë në dorë në transaksionet ndërmjet bizneseve, duke ulur kufirin e lejuar për pagesat cash nga 150,000 lekë në 100,000 lekë. Në kuadër të politikave për reduktimin e parasë në dorë dhe nxitjen e pagesave elektronike, miratohet edhe vendosja e detyrimit për pajisjen me terminal “POS” në pikat e shitjes të tatimpaguesve që kryejnë veprimtari ekonomike me pagesa në para në dorë, sipas afateve të parashikuara në ligj.
Ligjet e tjera të botuara në paketë
Në Fletoren Zyrtare u botuan gjithashtu ligjet “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar”; “Për disa shtesa dhe ndryshim në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar”; si dhe “Për disa ndryshime në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar”.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






